Rrënjët dhe gjethet e mëllagës së bardhë mbajnë substanca mucilagjinoze
(jargëzuese) të cilat zbusin dhe qetësojnë kollën. Thundërmushka në saj
të esencës dhe të fitoncideve që ka, qetëson kollën dhe lehtëson
nxjerrjen e gëlbazës. Lulet e netullës përmbajnë po ashtu lëndë
jargëzuese flavonide, esencë, sheqerna e saponinë dhe këshillohen si një
mjet zbutës dhe ekspektorant në kollën e zakonshme, në kollën e bardhë
dhe në pezmatimet e bronkeve. Lulëkuqja ka veti qetësuese në tërë
sistemin e frymëmarrjes, qetëson kollën dhe mënjanon ngacmimin e saj.
Rigoni ndihmon nxjerrjen e gëlbazës si dhe mjekon rrugët e frymëmarrjes.